Home > Work > White Nights

White Nights QUOTES

85 " - Oh, Nastenjka, Nastenjka! Ju as që mund ta merrni me mend sa shumë po më ngazëlleni! Po më pajtoni me vetveten! Nuk kam për të menduar kurrë keq për veten, siç më ka ndodhur rëndomë më parë! Se ku i dihet, mua dhe brenga sfilitëse, që jam treguar armik i vetes, ndoshta do më daravitet! Se jo një herë ia kam nxitur vetes mendimin që jeta e jetuar ka qenë mëkatare dhe deri kriminale. Dhe mos pandehni që po i zmadhoj gjërat. Kam kaluar e jo pak çaste trishtimi të pangushëllueshëm!... Më ka rënduar si plumb në zemër vetëdija e pazotësisë për të jetuar me të tashmen, me realen; e kam katandisur veten deri në atë farë feje, sa e kam mallkuar fatin tim, e kam sikterisur veten... Se mua, Nastenjka, ja se ç'më ka ndodhur pas netëve të kaluar me fantazime: jam kthyer në realitet, ku gjërat shihen esëll. Gjendje e padurueshme! Sheh tollovinë njerëzore, sheh dhe dëgjon si pulson jeta, vë re që dhe jeta e të tjerëve nuk është e përsosur, e jetojnë ashtu si u vjen, kapen fort pas çdo të mire që kjo u ofron, e përballojnë, kur ju shtie me shkelma, vë re që përtërihen e mëkëmben pas fatkeqsive, deri dhe rilinden; habitesh që asnjë minutë e jetës nuk ngjason me të mëparshmet, ndërkohë që fantazimet janë mërzindjellëse në monotoninë e tyre, janë frikamane para pengesave, skllave të vegimeve dhe të hijeve, të ideve dhe të hamendjeve të nxehta, ato janë skllave të resë, që e mbulon befas diellin dhe e mbush me pikëllim zemrën e vërtetë petërburgase, e cila, ngaqë e çmon aq shumë ndaj dhe drithërohet po aq shumë, kur e sheh t'i fshihet. Se fantazia në pikëllim ngjizet e harbon! Mirëpo vjen një çast që e ndien si venitet, si kapitet e deri vdiret në tendosjen e saj të pandërprerë, pa të cilën s'ka si bën, e sheh këtë dhe bindesh që fantazimet nuk janë të pashtershme, pale që edhe vetë ti zë e burrërohesh, i braktis ëndërrimet dhe përsiatjet e dikurshme... Vjen një çast, që fantazia bëhet copë e çikë dhe, në mos paç tjetër jetë, s'ke nga ia mban, do s'do detyrohesh dhe sajon nga rrënojat, bashkon mbeturinat e së parës. E pra, shpirti të do një të re! Ëndërrimtari i gjorë më kot zë e rrëmon në hirin e fantazisë së shkrumuar, për të gjetur aty ndonjë kongjill të ndezur, që t'i fryjë e t'i fryjë, me shpresën mos ndizet zjarri i ri, ku të ngrohë zemrën e kallkanosur, dhe të rimëkëmbë atë që dikur ishte aq hamngjitëse dhe joshëse, që ia rrëmbente shpirtin dhe ia vlonte gjakun, ia rrëmbushte sytë, duke e mashtruar me aq marifet! Dhe e dini, Nastenjka, sa keq u katandisa? S'më mbeti tjetër veç të festoja përvjetorin e ndijimeve të para fantastike, të atyre që pandehja se i pata përjetuar, kurse në vërtetë nuk i pata përjetuar, sepse edhe vetë përvjetori si i tillë imagjinar ishte, pjellë fantazie qe. Iu drejtova përkujtimit, ngaqë më mungonin fantazi të reja, nuk kisha nga i shtrydhja! Se ëndërrimet shtrydhen, Nastenjka! Ma kishte fort ënda të vizitoja ato vende, që lidheshin me lumturinë time të dikurshme, ta përshtasja të tashmen në përputhje me të atëhershmen. U ënda në ato rrugë të zymta pa ndonjë synim apo qëllim real, të përcaktuar, u sorollata sa desha nëpër Petërburgun aspak gazmor dhe kujtova e kujtova sa u enjta të përjetuarat asohere. Shihja me sytë e mendjes si ecja i vetmuar në po atë trotuar, si më mbyste pikëllimi dhe angështia, i rënduar nga ato fantazime aq të lemerishme. Nuk them se atëherë isha në gjendje më të mirë shpirterore, ama më i qetë se tani isha. Atëherë jetohej më këndshëm, s'i kisha tërë ato mendime të zeza për të cilët sapo ju fola, por as këtë vrasje ndërgjegje që po provoj tani. Endesha në atë përvjetor dhe thosha me vetë: "Sa shpejt që fluturojnë vitet!" dhe pas gjithë kësaj, përsëri ajo pyetja brengë: "Po ti ç'je duke bërë, ndërkohe që vitet fluturojne? A po e jeton jetën? Se vitet ikin e shkojnë dhe të troket pleqeria, bashkë me të dhe pafuqia, po edhe lloj-lloj mënxyrash! Se bota e fantazisë një ditë prej ditësh do të vdiret, ëndërrimet do shuhen e fashiten, do bien në tokë si gjethet në vjeshtë!..." O Nastenjka! Sa "

Fyodor Dostoevsky , White Nights